Deklarata e të ardhurave personale (Individ)

Çdo individ rezident në Republikën e Shqipërisë, i cili përfiton të ardhura me burim në Republikën e Shqipërisë dhe jashtë saj, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë në vit, në mbështetje të Ligjit nr.8438 datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave. Deklarata Individuale Vjetore e të Ardhurave është e detyrueshme të paraqitet gjithashtu edhe nga individët jo rezidentë, të cilët realizojnë të ardhura të tatueshme, me burim në Republikën e Shqipërisë, në shumën mbi 2,000,000 (dy milionë) lekë. Individët janë të detyruar të deklarojnë të ardhurat e tatueshme si më poshtë:

  • Të ardhura bruto nga paga apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit.
  • Të ardhurat bruto nga dividenti.
  • Të ardhurat bruto nga qiraja.
  • Fitimi kapital nga shitja e pasurisë së palujtshme në pronësi të deklaruesit.
  • Të ardhura bruto nga interesat bankare.
  • Fitimi kapital i krijuar nga investimet në tituj apo nga pasuri të palujtshme.
  • Shuma bruto të fituara nga lotaria apo lojëra të tjera të fatit.
  • Të ardhurat bruto nga pasuria intelektuale, licencat, të drejtat ekskluzive dhe pasuritë e tjera, që përbëhen vetëm nga të drejta dhe që nuk kanë formë fizike.
  • Fitimi kapitali nga dhurimi.
  • Të ardhura bruto të realizuara jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.
  • Të ardhura bruto të tjera të papërmendura më lart.

Çdo individ, i cili është i detyruar të paraqesë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave, duhet të bëjë kujdesin e duhur për plotësimin e saktë të të dhënave të deklaratës dhe sidomos për llogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, në rastet kur individi përfiton dy apo më shumë paga në një muaj nga punëdhënës të ndryshëm. Plotësimi i pasaktë i Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave mund të shkaktojë vendosjen e penaliteteve për individin deklarues. Tatimi i llogaritur mbi pagat dhe shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, është kuti e lirë boshe në deklaratë dhe plotësohet nga vetë deklaruesi. Individi deklarues, do të llogarisë tatimin mbi të ardhurat personale nga pagat dhe shpërblimet për të gjitha të ardhurat nga pagat që përfitohen gjatë muajit, edhe në rastin kur ai i përfiton këto paga nga punëdhënës të ndryshëm. Në rastin kur shuma e të ardhurave të përfituara gjatë muajit nga dy apo më shumë paga tek punëdhënës të ndryshëm e kalojnë vlerën që tatohet me zero përqind (30,000 lekë), tatimi do të llogaritet mbi totalin e të ardhurave mujore nga pagat (totali i të ardhurave nga pagat tek të gjithë punëdhënësit). Në bazë të shumës së pagave të përfituara në total nga të gjithë punëdhënësit, individi bën llogaritjet sipas skemës së mëposhtme:

  • Për shumën e pagave mujore deri 30.000 lekë tatimi është zero përqind
  • Për shumën e pagave mujore nga 30.001 lekë – 130 000 lekë tatimi është 13 përqind e shumës mbi 30 000 lekë
  • Për shumën e pagave mujore nga 130 001 lekë e më tepër tatimi është 13,000 lekë plus 23 përqind e shumës mbi 130,000 lekë

Tatimi i llogaritur në këtë mënyrë për çdo muaj të vitit, mblidhet për të 12 muajt e vitit dhe hidhet në një shumë të vetme në kutinë 4 të deklaratës, e cila përfaqëson tatimin vjetor të llogaritur për pagat dhe shpërblimet. Në kutinë 22 të deklaratës, individi do të shënojë shumën e tatimit të paguar dhe të mbajtur në burim nga cdo punëdhënës gjatë gjithë muajve të vitit. Diferenca midis tatimit të llogaritur, të shënuar në kutinë 4 të deklaratës, me shumën e tatimit të paguar, të mbajtur në burim nga punëdhënësit, të shënuar në kutinë 22 të deklaratës, përfaqëson shumën e detyrimit që duhet të paguajë individi në administratën tatimore për llogari të të ardhurave të tij vjetore nga punësimet. Shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, në asnjë rast nuk mund të jetë më e vogël se tatimi i mbajtur në burim dhe i paguar nga punëdhënësi për të ardhurat nga pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit të vendosur në kutinë 22 të deklaratës. Në rastin e individëve, të cilët në asnjë muaj të vitit nuk kanë qenë të dypunësuar, shuma e tatimit të llogaritur, të vendosur në kutinë 4 të deklaratës, është gjithmonë e barabartë me tatimin e mbajtur në burim dhe të paguar nga punëdhënësi për pagat dhe shpërblimet në lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës gjatë vitit, të vendosur në kutinë 22 të deklaratës.

Nga 1 Prilli 2018, tatimpaguesit me qarkullim mbi 2 milionë lekë do të zbatojnë shkallën tatimore të TVSH-së, prej 20%, për çdo shitje të kryer

Tatimpaguesit, të cilët kanë realizuar një qarkullim mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë, për vitin kalendarik 2017, si dhe ata që parashikojnë të realizojnë këtë qarkullim gjatë këtij viti, nga data 1 Prill 2018 duhet të regjistrohen me përgjegjësinë tatimore të TVSH-së (tatimi mbi vlerën e shtuar).

  • Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, duhet të komunikojë me shoqërinë e autorizuar që e ka furnizuar me pajisjen fiskale për të bërë ndryshimin e shkallës tatimore të TVSH brenda dates 31 mars 2018, për qëllim të lëshimit të kuponit tatimor me TVSH;
  • Çdo tatimpagues i regjistruar për TVSH-në brenda dates 31 mars 2018 duhet të furnizohet me faturat tatimore me TVSH, të përdorshme për çdo shitje mbi 40.000 (dyzet mijë) lekë, ose kur blerësit do t’i kërkojnë një të tillë.

Paraprakisht këta tatimpagues duhet të përpilojnë (inventarizojnë) listën e mallrave stok të specifikuar në sasi dhe në vlerë.

  • Ky inventar duhet të dorëzohet në Drejtorinë Rajonale, brenda dates 31 mars 2018.
  • Çdo mall i përfshirë në inventar duhet të jetë i justifikuar me faturë tatimore të blerjes me TVSH, i blerë jo më parë se 12 muaj nga data që është bërë regjistrimi në TVSH.

Ky proces i jep të drejtën çdo tatimpaguesi, që në muajin e parë kur bëhet subjekt i regjistruar në TVSH, të njohë TVSH-në e zbritshme për mallrat e inventarit gjendje në datën e regjistrimit në këtë regjim.

Nisja e një Biznesi

“Realizimi i edeve tuaja për biznes”

Nisja e një biznesi dikton nevojën për një planifikim të kujdesshëm. Ne jemi të gatshëm të mbështesim sipërmarrësit gjatë gjithë procesit të fillimit të një sipërmarrjeje që ajo të jetë e suksesshme.

Informacion dhe Udhëzime

  • Informacion për të përgatitur dhe udhëzuar sipërmarrësit.
  • Ndihmon gjetjen e partnerëve dhe organizatave të specializuara.
  • Këshilla dhe burime online (modelet e planit të biznesit, parashikimet financiare, studimet e tregut etj.)

Shërbime Këshillimi

  • Analiza e vlefshmërisë së propozimit tuaj të biznesit.
  • Vlerësimi i potencialit tuaj sipërmarrës.
  • Optimizimi i planit të biznesit ose planit të marketingut.
  • Analizimi i studimit tuaj të tregut.
  • Analizimi i pasqyrave financiare të buxhetuara.
  • Asistencë në analizën e financimit.
  • Identifikimi i mundësive të financimit
  • Mbështetja e zhvillimit dhe ecurisë së biznesit.
  • Këshillim për menaxhimin e burimeve njerëzore.
  • Ndihmë në proçesin e implementimit të idesë.

Tatimi në Burim (15% e Neto apo Bruto)?

Nisur nga shumë pyetje dhe paqartësi në lidhje me faktin se mbi ç’bazë llogaritet vlera e Tatimit në Burim të pagesave të kryera (Qira, pagesa profesionale, etj), po paraqesim llogjikën që qëndron pas kësaj.

Termi “Tatim në Burim” nënkupton që nga pagesa që do bëhej do të mbahej 15% për ta deklaruar dhe paguar si të tillë tek Tatimet. Kjo do të thotë se 15% merret nga vlera Bruto. Nëse në marrëveshjen e arritur me palën përfituese të pagesës është që do të paguhet një shumë CASH prej X lekë në këtë rast vlera e tatimit do të llogaritej mbi shumën bruto që në këtë rast është X/85% ose X/0.85. Pra Bruto nuk eshte X+15%*X por X/0.85.
Tatimi në Burim është 15% e Brutos ose afersisht 17.647% (3/17) e Netos.

Shembull. Në një marrëveshje përkthimi për një material keni rënë dakord të paguani përkthyesin me 10000Lekë për punën e kryer dhe ai nuk siguron faturë tatimore për ju, por do të paguani këtë shërbim duke paguar Tatim në Burim. Pasi kryeni pagesën në muajin pasardhës (brenda datës 20 të muajit) duhet të bëni deklarimin dhe pagesën e këtij tatimi. Llogaritja bëhet si më poshtë:

Vlera Bruto për efekt tatimi do të ishte=10,000leke/0.85=11,764.7lekë

Nga kjo shumë do gjendet vlera e Tatimit në Burim (15%)= 0.15*11,764.7lekë=1,764.7Lekë

(Ose ndryshe tatimi do ishte = 3/17*10,000Lekë=1,764.7Lekë)

 

Shërbimi  “Oborre ne përdorim“

ATP  gjithashtu trajton  me vendim  kërkesat e  subjekteve për kalimin ne pronësi te oborreve  në përdorim. ATP bën vlerësimin e  kërkesave te subjekteve për kalimin ne pronësi te sipërfaqeve shtetërore kur ne dokumentin e pronësisë është shënimi “oborr ne përdorim ” .

Tjetërsimi i sipërfaqes oborr ne përdorim për llogari te fondit te kompensimit financiar

Dokumentacioni i nevojshëm

1. Kërkesën sipas formularit tip

2. Dokumenti për të drejtën e pronësisë së kërkuesit mbi ndërtimin, që gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, i lëshuar nga ZRPP-ja;

3. Genplani i oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i hartuar nga një topograf i licencuar;

4. Dokumenti me të dhënat për gjendjen juridike të oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, i lëshuar nga ZRPP;

5. Dokumentet, që provojnë faktin se ndërtimi, i cili gjendet brenda ose në lidhje funksionale me oborrin në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, është kryer përpara datës 10.08.1991. Këto dokumente mund të jenë një leje ndërtimi, e lëshuar nga organi përgjegjës i kohës, një akt zyrtar, i lëshuar nga arkivi teknik i ndërtimit, një akt i nxjerrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, vendimi gjyqësor për vërtetimin e faktit të ndërtimit dhe të kohës së ndërtimit, aktnjoftimi përkatës ose dokumente zyrtare, të lëshuara nga organet e pushtetit vendor, brenda kompetencave të tyre;

6.Dokumenti, që provon pronësinë e mëparshme mbi oborrin në përdorim, që, për shkak të ligjeve të kohës, i ka kaluar në përdorim, pa kundër shpërblim, nëse kërkuesi aplikon për tjetërsimin e tij pa kundër shpërblim.

Procedura për ofrimin e shërbimit

Pasi subjekti ka paraqitur pranë AKKP-së kërkesën së bashku me dokumentacionin e kërkuar, për kalimin në pronësi të oborrit në përdorim:

1.ATP , brenda 30 (tridhjetë) ditëve, nga data e paraqitjes së kërkesës dhe dokumentacionit nga ana e subjektit, kryen verifikimin e hollësishëm të tyre (verifikimet kryhen në terren nga punonjësit e ATP-së).

2.  ATP saktëson kufijtë e oborrit në përdorim, që kërkohet të tjetërsohet, duke kryer matje në terren.

3. Në përfundim të shqyrtimit sipas afateve të mësipërme, ATP, harton vlerësimin ligjor dhe njofton subjektin sipas rastit, për:

i) Të drejtën e tjetërsimit me shpërblim dhe detyrimin për të paguar brenda 30 (tridhjetë) ditëve, për llogari të ATP-së, për fondin e kompensimit financiar, çmimin e tjetërsimit, duke i treguar edhe numrin e llogarisë.

ii) Të drejtën e tjetërsimit pa kundër shpërblim, duke i treguar kërkuesit kufijtë, sipërfaqen në m2 dhe vendndodhjen e oborrit në përdorim, shoqëruar me plan vendosjen përkatëse.

iii) Mospranimin e kërkesës për tjetërsim, duke arsyetuar, me shkrim, në mënyrë të hollësishme kushtet e përcaktuara në këtë vendim, që nuk plotësohen apo provohen.

4.Kërkuesi, me marrjen e njoftimit për të drejtën e tjetërsimit me shpërblim, paguan, në numrin e llogarisë së caktuar nga ATP, për llogari të Fondit të Kompensimit të Pronave. Pagesa bëhet jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë nga data e marrjes së njoftimit nga ATP. Shkelja e këtij afati përbën shkak për mospranimin nga ATP-ja të kërkesës për tjetërsim.

5. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së vendos kalimin e pronësisë së oborrit në përdorim brenda 10 ditëve nga:

a) data e mbërritjes së mandatit, që vërteton pagimin e vlerës, në rastin e tjetërsimit me kundër shpërblim;

b) data e njoftimit të kërkuesit për të drejtën e tjetërsimit pa kundër shpërblim.

6. Vendimi i Drejtorit të Përgjithshëm, i cili merret jo më vonë se 3 (tre) muaj nga data e regjistrimit të kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues në regjistrin e protokollit të ATP-së, i njoftohet kërkuesit.

7. ATP-ja ia përcjell vendimin për regjistrim ZRPP-së, e cila kryen procedurën e regjistrimit në përputhje me rregullat e parashikuara në legjislacionin në fuqi.

8. Poseduesi i pasurisë së paluajtshme pajiset me certifikatën e pronësisë, pasi të ketë paguar më parë (në momentin e paraqitjes së kërkesës) tarifën e shërbimit, të përcaktuar me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave.

Kosto :

Aneksi nr. 2, VKM 578/2012 – Çmimet e oborreve në përdorim  sipas tabelës së mëposhtme:

Për sipërfaqe deri në 100 m2         200 mijë lekë
Për sipërfaqe nga 101 m2  – 200 m2         300 mijë lekë
Për sipërfaqe nga 201 m2 –  300 m2         400 mijë lekë
Për sipërfaqe nga 301 m2  – 400 m2         500 mijë lekë
Për sipërfaqe nga 401 m2  – 500 m2         600 mijë lekë

Në lidhje me kasat fiskale dhe bizneset që operojnë Online

Në cilat raste një subjekt tatimpagues nuk detyrohet të pajiset dhe të përdorë pajisjet fiskale?

Më poshtë do të gjeni bazën ligjore që detyron Biznesin të pajisen dhe të përdorin rregullisht kasat fiskale. Por, jo të gjitha bizneset janë të detyruara në bazë të këtij ligji që të përdorin atë. Bizneset që zgjedhin të përdorin sistemin bankar për marrjen e pagesave të tyre, kanë këtë liri, por në rast kosntatimi të marrjes së pagesave CASH ligji parashikon gjobë dhe masa administrative. Kjo proçedurë nis me venien në dispozicion të klientit të faturës tatimore (e Thjeshtë ose me TVSH) dhe detajet e llogarisë bankare për likujdimin e faturës.
Gjithashtu, bizneset që përdorin sisteme automatike të faturimit dhe likujdimit të tyre (përmes moduleve të pagesave online të vëna në dispozicion nga bankat e nivelit të dytë në vend, PayPal, apo sisteme të tjera të ngjashme) nuk e kanë këtë përgjegjësi, nëse më parë kanë marrë aprovim nga DPT për njohjen dhe përdorimin e sistemit në fjalë.

Në cilat raste një subjekt tatimpagues detyrohet të pajiset dhe të përdorë pajisjet fiskale?
Sipas Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008,”Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, neneve 54, 55, 56, përmbajtjen e të cilëve do ta gjeni më poshtë, sqarohet detyrimi dhe kushtet në të cilat tatimpaguesit i përdorin paisjet fiskale:

Neni 54
Kuponi tatimor
3. Të gjithë tatimpaguesit e shitjeve me pakicë, që shesin mallra apo ofrojnë shërbime në mjedise apo njësi të përhershme, të hapura për publikun, duhet të instalojnë pajisje fiskale dhe të lëshojnë kupona tatimorë për çdo transaksion.

Pajisjet fiskale
Neni 55
Detyrimi për përdorimin e pajisjeve fiskale:

  1. Tatimpaguesit, që kryejnë qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve, për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të fusin dhe të përdorin sistemin fiskal, nëpërmjet përdorimit të pajisjeve fiskale, për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe për lëshimin në mënyrë të detyrueshme, të kuponit tatimor.Ndalohet mbajtja apo përdorimi i pajisjeve fiskale dhe sistemeve të monitorimit të qarkullimit, të ndryshme nga ato të përcaktuara në këtë ligj apo aktet nënligjore në zbatim të këtij ligji.
    (Ndryshuar me Ligj Nr. 99/2015, datë 23.09.2015. Botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 187, datë 28 tetor 2015).
  2. Këshilli i Ministrave miraton karakteristikat teknike e funksionale të pajisjeve fiskale, të sistemit të integruar të kompjuterizuar për transferimet periodike, automatike të deklarimeve financiare, të sistemit të komunikimit, procedurën dhe dokumentacionin për miratimin e tyre, kriteret për pajisjen me autorizim të shoqërive, që ofrojnë pajisjet fiskale, si dhe kushtet e heqjes së autorizimit për këto shoqëri.
  3. Ministri i Financave, me udhëzim, miraton procedurën dhe dokumentacionin për miratimin për përdorim të pajisjeve fiskale, elementet e kuponit tatimor, mënyrën e kontrollit dhe kontrollin e pajisjes fiskale, distancën e ruajtjes së kuponit tatimor dhe rregullat për mirëmbajtjen e tyre teknike e të shërbimit.

Neni 56
Kontrolli i sistemit automatik të mbledhjes së të dhënave të pajisjeve fiskale:

  1. Ministri i Financave mund të vendosë që mbledhja e të dhënave të pajisjeve fiskale të bëhet nëpërmjet një sistemi automatik.
  2. Shërbimi i sistemit të kontrollit automatik mund të kryhet nga subjektet e pajisura me autorizim nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, në bazë të kritereve të parashikuara me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Sipas pikës 1, të VKM Nr.781, datë 14.11.2007:
“Tatimpaguesit, të cilët shesin mallra, prodhime apo kryejnë furnizime të shërbimeve në lokale apo njësi të hapura për publikun , për të cilat pagesat nuk kryhen nëpërmjet bankës, janë të detyruar të përdorin paisje fiskale për regjistrimin e pagesave me para në dorë dhe të lëshojnë në mënyrë të detyrueshme , kuponin tatimor”.

A duhet të pajiset një shoqëri me pajisje fiskale për shitjen e mallrave në rastet kur përdor një sistem të kompjuterizuar për të cilin ka marrë edhe miratimin e faturës tatimore të autorizuar nga DPT-ja?
Kuponi tatimor lëshohet në çdo rast kur arkëtohen pagesa me para në dorë nga furnizimi i mallrave apo shërbimeve në njësi të hapura për publikun dhe pavarësisht se shoqëria e cila ka marrë autorizimin e përdorimit të faturës kompjuterike apo edhe ajo e cila përdor fatura tatimore të shpërndara nga organi tatimor, është e detytruar të përdore paisjen fiskale.

Kur një tatimpaguesi përdor pajisje fiskale për shitjen e mallrave apo shërbimeve të cilat nuk i ka blerë nga një prej shoqërive të licensuara nga Ministri i Financave në zbatim të VKM nr. 781, datë 14.11.2007, a konsiderohen këto pajisje të vlefshme
Vetëm paisjet fiskale të furnizuara nga 5 shoqëritë e liçensuara nga Ministri i Financave, të cilat nxjerrin kupona tatimor në zbatim të Udhëzimit të Ministrit të Financave nr, 39, datë 09.12.2009 “Për administrimin dhe dokumentimin e procedurave të pajisjeve fiskale” janë të njohura për çështje fiskale.

Kur një tatimpagues, për llojin e shërbimit që kryen, përdor bileta dhe arkëton para CASH, a duhet të instalojë pajisje fiskale?
Të gjithë tatimpaguesit të cilët për kryerjen e shërbimit të tyre nëpërmjet përdorimit të biletave të prodhuara nën kujdesin e Shtetit, në kuadrin e letrave me vlerë dhe me çmim të parashtypur, nuk kanë detyrimin për tu pajisur me pajisje fiskale.
Të gjithë subjektet e tjera të cilat nuk plotësojnë këto kushte janë të detyruar të pajisen dhe përdorin pajisje fiskale.

Kur një subjekt tatimpagues edhe pse është regjistruar në QKR, por nuk ka kryer asnjë aktivitet fitimprurës, a është i detyruar të pajiset me pajisje fiskale?
Subjekti ka detyrim ligjor të pajiset e të përdorë pajisjet fiskale në momentin më të parë të kryerjes së shitjeve të mallrave apo shërbimeve që plotësojnë kushtet e pikës 1 te VKM nr. 781, datë 14.11.2007.

A duhet të presë një subjekt në fund të ditës një faturë tatimore për totalin e të gjitha shitjeve me pajisje fiskale (me kupon tatimor)?
Po. Në fund të ditës tatimpaguesi duhet të lëshojë faturë tatimore shitje në fund të cdo dite pune për totalin e kuponave tatimorë të lëshuara nëpërmjet pajisjes fiskale përfshirë edhe dëftesat tatimore (kur është rasti).

A duhet të përdorin pajisje fiskale subjektet tatimpaguese të cilat ushtrojnë aktivitetin e shitjeve të produkteve nëpërmjet shitjeve derë më derë?
Po. Këto subjekte shesin për publikun e gjërë duke i ofruar shitjet e tyre derë më derë. Ato duhet të pajisen dhe të përdorin pajisje fiskale të lëvizshme dhe të presin kuponin tatimor për çdo shitje të realizuar. Mallrat nga magazina dalin me një faturë tatimore shoqëruese me çmimet e magazinës, me shënimin për shitjet derë më derë , me sasi dhe çmim të mallrave në magazinë dhe pjesa e pashitur e tyre kthehet në magazinë për tu bërë hyrje po me çmimet e daljes (magazinë) të shoqëruar gjatë rrugës edhe me kopjet e kuponave të shitjeve të realizuara të cilat shërbejnë për efekt kontrolli gjatë rrugës nga organet e kontrollit.

A përbën dublim të deklarimit të shitjeve, shitja edhe me faturë tatimore edhe me kupon tatimor nga ana e shoqërisë?
Jo. Shitjet me arkëtim nëpërmjet bankës realizohen veç atyre me pajisje fiskale dhe shuma e tyre (me bankë dhe kupon tatimor) deklarohet si shitje e tatueshme e muajit. Për shitjet e kërkuara nga subjektet që të shoqërohen edhe me kupon edhe me faturë, kjo e fundit regjistrohet sipas numrit kronollogjik rendor si faturë, por shuma e saj nuk mblidhet në shumën e faturave të kaluara nëpërmjet bankës (pasi hyn në shitjet me pajisje fiskale).

Cilat janë format e arkëtimit të pagesave për të cilat përdoret kuponi tatimor në objekte të hapura për publikun e gjërë?
Pagesa me CASH (para në dorë) dhe me kartë krediti.

Minimizoni rrezikun e penalizimit nga deklarimet ne sistemin tatimor

Ka një sërë detajesh që neglizhojmë, të cilat na penalizojnë në momente të caktuara të aktivitetit tonë. Jo të gjithë, por një pjesë e mirë e jona duhet të ketë provuar penalizimin për deklarimet e vonuara dhe gjobat që rrjedhin prej tyre.
Nga analiza e bërë rezultoi se rreth 50% e këtyre gjobave të paguara janë për përgjigjgësi tatimore për të cilat biznesi nuk kishte nevojë të dorëzonte deklarata. Continue reading “Minimizoni rrezikun e penalizimit nga deklarimet ne sistemin tatimor”

e-Shërbime për OJF dhe Ente Publike

Të gjithë tatimpaguesit e kanë të domosdoshëm bashkëpunimin dhe bashkëveprimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ndaj në kuadër të përmirësimit në ofrimin e shërbimeve, për të sjellë shpejtësi, siguri, dhe transparencë të procesit, shërbimet elektronike, e-sherbimet, jane një mënyrë e drejtëpërdrejtë për të përmbushur detyrimet ligjore të taksapaguesve nëpërmjet deklarimit elektronik duke evituar kështu vonesat burokratike.

Prej periudhës së fillimit të aplikimit deri sot këto shërbime janë perfeksionuar dhe tashmë janë kthyer në një rutinë të përditshme në marrëdhëniet mes biznesit dhe administratës tatimore.

Tatimet e mia (eFiling) është konceptuar dhe ndërtuar në mënyrë të tillë që të jetë lehtësisht i përdorshem nga të gjithë pavarësisht ndryshimeve në gjini, grup moshë apo nivel arsimor.

Për të aksesuar llogarinë e deklarimit elektonik klikoni këtu.

Për më tepër informacion rreth përdorimit të llogarisë tuaj në eFiling, klikoni këtu.